Secondary Adv

Bashkia e Tiranës miraton rregulloren e re për administrimin e hapësirave publike

Bashkia e Tiranës ka miratuar rregulloren e re për administrimin e hapësirave publike, pas aksionit të gjerë për lirimin e trotuareve dhe shesheve nga zaptimet, ndërsa në terren shumë prej strukturave të hequra janë rikthyer sërish.

Sipas dokumentit të siguruar nga Ekofin.al, rregullorja e re synon të standardizojë përdorimin e hapësirave publike në kryeqytet dhe të vendosë rregulla të qarta për bizneset dhe subjektet që kërkojnë të përdorin trotuare, sheshe apo ambiente të përbashkëta urbane. 

 

Miratimi i paketës vjen pas një prej fushatave më të gjera të viteve të fundit për lirimin e hapësirave publike, e cila u shtri në disa qytete të vendit dhe u fokusua kryesisht te lokalet, bizneset dhe strukturat që kishin zgjeruar aktivitetin në trotuare, korsitë e biçikletave dhe sheshe publike.

 

Mbi 21 mijë raportime për zaptim hapësirash publike

Fushata u shoqërua edhe me krijimin e portalit “hapesiraimepublike.gov.al”, ku qytetarët mund të denoncojnë rastet e zënies së hapësirave publike.

Sipas të dhënave më të fundit të portalit, janë regjistruar mbi 21 mijë raportime për zaptime të hapësirave publike, nga të cilat 16,618 raste janë zgjidhur, ndërsa 4,851 mbeten ende në proces. Pesha më e madhe e rasteve i përket Tiranës. 

 

Megjithatë, një vëzhgim i realizuar nga Ekofin.al në disa lagje të kryeqytetit tregon se pas përfundimit të aksionit, shumë tenda, tavolina, çadra dhe rampa janë rikthyer sërish në trotuare dhe hapësira publike, duke bllokuar qarkullimin e këmbësorëve. 

 

Rregulla të reja për trotuaret dhe bizneset

Rregullorja “Për shfrytëzimin e hapësirës publike në Bashkinë e Tiranës” përcakton për herë të parë në mënyrë të detajuar kriteret, distancat dhe standardet urbane që duhet të respektojnë subjektet private apo publike për përdorimin e hapësirave publike. 

 

Dokumenti synon të kalojë nga tolerimi informal i zaptimit të trotuareve drejt një sistemi të standardizuar, ku çdo përdorim i hapësirës publike do të jetë i licencuar, i monitoruar dhe i kontrolluar. 

 

Sipas rregullores, interesi publik prevalon ndaj interesit privat dhe qytetarëve duhet t’u garantohet akses i lirë në trotuare dhe ambiente publike.

 

Dokumenti vendos distanca minimale të detyrueshme, si 3 metra nga hyrjet e ndërtesave dhe 5 metra nga stacionet e autobusëve apo korsitë e biçikletave, ndërsa përcakton edhe korridore të lira kalimi për këmbësorët.

 

Gjithashtu ndalohet vendosja e reklamave, tendave apo strukturave që pengojnë qarkullimin, sinjalistikën rrugore apo estetikën urbane. 

 

Leje elektronike dhe kontrolle më të forta

Rregullorja parashikon që çdo aktivitet në hapësirë publike të pajiset me leje të posaçme, ndërsa aplikimet do të kryhen përmes portalit e-Albania. 

 

Po ashtu do të krijohet një regjistër elektronik unik për lejet dhe pagesat, ndërsa Policia Bashkiake do të ushtrojë kontrolle dhe do të vendosë masa administrative ndaj shkelësve. 

 

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me standardizimin urban. Dokumenti përcakton tipologjitë e strukturave të lejuara, materialet, ngjyrat, ndriçimin dhe kufijtë maksimalë të zhurmës për aktivitetet gastronomike apo muzikën live. 

 

Modeli pritet të shtrihet në të gjithë vendin

Edhe pse rregullorja është hartuar për Bashkinë e Tiranës, ajo mbështetet në një vendim të Këshillit të Ministrave të prillit 2026, i cili detyron njësitë vendore të nxjerrin aktet për administrimin e hapësirave publike. 

 

Kjo pritet ta kthejë modelin e Tiranës në një referencë edhe për bashkitë e tjera të vendit, sidomos në qytetet turistike ku zënia e trotuareve dhe hapësirave publike nga bizneset mbetet një problematikë e vazhdueshme. 

 

Sfida kryesore, sipas ekspertëve, mbetet zbatimi në praktikë, pasi për vite me radhë zaptimi informal i hapësirave publike është toleruar dhe aksionet kanë qenë shpesh sezonale apo të përkohshme. 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat